POSTIMET ME TE FUNDIT :
KREU » » Ozil lojtar i Arsenal

Ozil lojtar i Arsenal

Written By Admin 1 on Tuesday, September 3, 2013 | 11:16 AM

Ozil, 24 vjeç, bashkohet me Arsenalin nga Real Madrid, ku ai zhvilloi 159 ndeshje përgjatë 3 viteve të fundit. Gjatë periudhës së tij te Real, ai fitoi La Ligën dhe Kupën e Mbretit. 

Mesfushori me tipare sulmuese kishte qenë objektiv prej një kohe të gjatë i trajnerit Arsene Wenger, i cili është shprehur pas zyrtarizimit: “Jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi nënshkruar me Mesut Ozil. Ai është një lojtar i madh, me kualitet të sprovuar si në nivel klubesh edhe në nivel ndërkombëtar. E kemi parë dhe e kemi admiruar prej kohësh, ai ka të gjithë aftësitë që kam kërkuar për një lojtar të Arsenalit”.

Shefi ekzekutiv i Arsenalit, Ivan Gazidis, tha: “Kjo është një ditë e gëzueshme për ne. Kemi nënshkruar me një lojtar të klasit botëror, apo një nga talentët e rinj më të shkëlqyer të Europës. Kroenke, pronari i klubit, e ka mbështetur gjithmonë trajnerin Wenger dhe klubi po bën investime madhore për të përforcuar skuadrën, si dhe për të afruar talentë të rinj për të plotësuar ambiciet tona”.

Ozil e nisi karrierën te klubi i Schalke 04, në 2006-n dhe në moshën 18-vjeçare, e pasi kaloi dy sezone në Gelsenkirchen u transferua në ekipin e Werder Bremen në 2008. Pas 71 ndeshjesh me këtë ekip, Ozil kaloi te Reali, ndërkohë që ka zhvilluar edhe 47 ndeshje për kombëtaren e Gjermanisë, duke shënuar 17 gola.

Pasi kaloi kontrollet mjekësore në Gjermani, Ozil u shpreh: “Jam më se i lumtur që jam bashkuar me një klub të nivelit të Arsenalit. Dua të luaj në Premier League, pasi kjo do të jetë diçka e rëndësishme për zhvillimin tim si lojtar. Mezi pres të punoj me trajnerin Arsene Wenger. Ekipi i ri ka ambicie të mëdha, kështu që po bëhem pjesë e një të ardhmeje të ndritur”.

Ndërkohë, edhe një mesazh në faqen e tij në Facebook për fansat e Real Madrid: “Të dashur tifozë të Realit, ju falënderoj për 3 vitet e mrekullueshme që kalova me ju. Eksperienca ime në Madrid ishte unike dhe speciale për mua. Ndonjëherë zhvillimet marrin drejtime të ndryshme, jo siç mund t’i kisha parashikuar disa ditë më parë. Po largohem nga Madridi dhe ju uroj të juve dhe ekipit gjithë të mirat për të ardhmen. Tashmë do të shoh të ardhmen time me një klub të ri: ‘Topçinjtë’ e Londrës”.
Shperndaje kete postim tek miqte :
 
Copyright © 2013 - Shqipëria ONLINE - Te gjitha te drejtat e rezervuara
Template e krijuar nga NpK T3@M | Publikuar nga -> Shqiperia ONLINE
Kontakto WEBMASTER-in | KR3SHN!K