POSTIMET ME TE FUNDIT :
KREU » » Debate ne Kuvend ne lidhje me programin e ri qeverises

Debate ne Kuvend ne lidhje me programin e ri qeverises

Written By Unknown on Saturday, September 14, 2013 | 12:41 PM

Po zhvillohet në Kuvendin e ri, seanca maratonë ku debatohet programi qeverisës i kabinetit të kryesuar nga Edi Rama. 

Secili nga deputetet ka në dizpozicion 20 minuta kohë për të diskutuar rreth programit qeverisës.

Gjatë kësaj seance u zhvillua edhe votimi për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit. Edmond Spaho, deputet i PD-së u zgjodh me 99 vota pro në këtë detyrë.

Ka qenë pikërisht Spaho, ai që ka hapur edhe siparin e debatit të deputetëve sa i takon programit, ndërkohë që lista e diskutantëve është e gjatë.

Ministrat prezantojnë programet

Fillimisht disa prej ministrave kanë prezantuar programin personalisht dhe iu janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve të opozitës.

I pari që u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve ka qenë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili ka prezantuar politikat e dikasterit të tij për këtë sektor.

“Brenda 100 ditëve territoret spitalore ambulatore t’i çlirojmë nga aktivitetet private. Qëllimi ynë është që shërbimi shëndetësor shtetëror të jetë paguesi i vetëm”, ka deklaruar Beqja. Më pas kanë vijuar ministrat e tjerë, secili me detajet përkatëse.

Edmond Haxhinasto, ministër i Transporteve dhe Infrastrukturës: Do realizojmë të gjitha projektet në infrastrukturë. Prioritet do të jenë investimet për zhvillimin e zonave turistike në jug. Në këtë zonë ka hapësira edhe për një transport ajror.

Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë: Politikat e bujqësisë do të jenë të orientuara për zhvillimin e tregut të brendshëm, në mënyrë që puna e fermerëve të mos shkojë kot. Zona e Myzeqesë është hambari i Shqipërisë, ku kemi prodhimin më intensiv bujqësor dhe subvencionet nuk do të mungojnë. Ato gjitashtu do të orientohen sipas rezultatit. Cështja e përmbytjeve është një problem kronik dhe investimet për kanalizimet do të jenë prioritet i ministrisë.

Shkëlqim Cani, ministër i Financave: Instituti i Sigurimeve Shoqërore është i dorës së dytë. Ne do gjejmë një zgjidhje që qytetarët të mos rrënohen. Janë me dhjetëra miliardë lekë detyrime të prapambetura të lëna nga qeveria e ikur. Situata e buxhetit të shtetit është e rëndë, por jo e pashpresë. Me Bankën Botërore dhe FMN-në do bëjmë një skanim të borxheve dhe do punohet që të vendosen kritere dhe kushte për shlyerjen e këtyre detyrimeve.

Damian Gjiknuri, ministër i Energjitikës: Procesi i privatizimeve rezultoi i dështuar dhe qeveria do t’i kushtojë vëmendje të gjitha pasojave që kanë ardhur nga ky dështim. Angazhohem për kontrollin e procesit të privatizimit të kompanisë “Albpetrol”, që rezultoi gjithashtu i dështuar. Në programin e PS është bërë i qartë edhe adresimi i problemeve të minatorëve, për të gjetur për ta zgjidhjen e duhur për pensionet dhe kontributet shëndetësore.

Eglantina Gjermeni, ministre e Turizmit dhe Zhvillimit Urban: Qeveria do të vendosë një moratorium për ndalimin e ndërtimeve pa leje në Berat dhe Krujë, për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Gjithashtu do të realizojmë fushata turistike brenda dhe jashtë vendit për të nxitur turistët e huaj. Të promovojmë vlerat tradicionale të Beratit duke rritur cilësinë e shërbimit aty. 
Shperndaje kete postim tek miqte :
 
Copyright © 2013 - Shqipëria ONLINE - Te gjitha te drejtat e rezervuara
Template e krijuar nga NpK T3@M | Publikuar nga -> Shqiperia ONLINE
Kontakto WEBMASTER-in | KR3SHN!K